Ballina > Bota > Turqia i dërgon paralajmërim të ashpër Izraelit: “Nuk do t’jua lejojmë”, akuza të rënda pas përshkallëzimit në Siri

Turqia i dërgon paralajmërim të ashpër Izraelit: “Nuk do t’jua lejojmë”, akuza të rënda pas përshkallëzimit në Siri

19 Aug 2026 Bota

Turqia ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të zyrës së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu lidhur me situatën në Siri, duke i cilësuar ato si përpjekje për të justifikuar sulmet ajrore izraelite ndaj territorit sirian.

Drejtoria e Komunikimeve e Republikës së Turqisë deklaroi se akuzat e bëra nga zyra e Netanyahut synojnë të legjitimojnë sulmet që, sipas Ankarasë, janë të paligjshme dhe cenojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë.

Reagimi i Turqisë vjen një ditë pasi avionët luftarakë izraelitë kryen tetë sulme ajrore ndaj pistës së aeroportit ushtarak Abu al-Duhur, në provincën Idlib, në veriperëndim të Sirisë. Sulmet shkaktuan dëme të konsiderueshme në infrastrukturën ushtarake të aeroportit.

Më herët, zyra e kryeministrit izraelit kishte deklaruar se Izraeli dhe Siria kishin arritur një marrëveshje për ruajtjen e një “status quo-je” në çështjet e sigurisë. Sipas Izraelit, Siria ishte pranë shkeljes së kësaj marrëveshjeje duke lejuar vendosjen e trupave turke në një bazë ajrore pranë Alepos.

Izraeli pretendon se e kishte paralajmëruar disa herë Damaskun se një hap i tillë do të përbënte kërcënim për sigurinë e tij, por paralajmërimet nuk ishin marrë parasysh.

Izraeli nuk do të tolerojë kërcënime ndaj sigurisë së tij dhe do ta mirëprisnim rikthimin në status quo”, thuhej në deklaratën e zyrës së Netanyahut.

Ankara, megjithatë, i ka cilësuar këto pretendime si pjesë të politikës së Netanyahut, të cilën e përshkruan si “ekspansioniste dhe destabilizuese”.

Turqia ka akuzuar gjithashtu kryeministrin izraelit se po përdor çështjet rajonale për përfitime politike në prag të zgjedhjeve në Izrael.

Sipas Ankarasë, paqja e qëndrueshme në rajon mund të arrihet vetëm nëse Izraeli heq dorë nga politika e presionit dhe respekton të drejtën ndërkombëtare.

Turqia ka përsëritur ndërkohë se do të vazhdojë bashkëpunimin me qeverinë në Damask, me synim forcimin e paqes dhe stabilitetit në Siri.

Turqia do të vazhdojë me vendosmëri të bashkëpunojë me qeverinë siriane mbi baza legjitime për vendosjen e paqes dhe stabilitetit dhe nuk do të lejojë destabilizimin e mëtejshëm të Sirisë”, thuhet në deklaratën e Ankarasë.

Lini një përgjigje