Presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar dy herë radhazi përmes rrjeteve sociale pasi Irani njoftoi hapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit për lundrim. Megjithëse e përshëndeti këtë hap, Trump bëri të qartë se presioni ushtarak dhe ekonomik mbi Teheranin nuk do të pushojë deri në mbylljen e plotë të negociatave.

“Hormuzi është gati për biznes”
Në postimin e tij të parë, Trump u tregua i shkurtër dhe diplomatik:
“Irani sapo njoftoi se ngushtica e tyre është plotësisht e hapur dhe gati për kalim të plotë. Faleminderit!”
Mirëpo, pak çaste më vonë, ai sqaroi pozicionin e prerë të SHBA-së sa i përket sigurisë dhe sanksioneve, duke theksuar se Ngushtica e Hormuzit është tashmë “e hapur për biznes”, por bllokada detare specifike për Iranin do të mbetet në fuqi me “fuqi dhe efekt të plotë”.




