Tre persona humbën jetën si pasojë e rrëzimit të një helikopteri privat në Lindjen e Largët të Rusisë, konkretisht në rajonin Amur, bënë të ditur autoritetet lokale, raporton Anadolu.
Sipas deklaratës zyrtare të qeverisë së rajonit Amur, helikopteri i tipit “Robinson”, i cili ishte zhdukur nga radarët më herët gjatë ditës, u gjet në rrethin Romnensky pa asnjë të mbijetuar. Operacioni i kërkim-shpëtimit përfundoi me gjetjen e vendit të rrëzimit dhe trupave të tre viktimave.
Autoritetet shprehën ngushëllimet për familjet dhe të afërmit e viktimave, ndërsa paralelisht është hapur një hetim për të sqaruar rrethanat e aksidentit.
Edhe pse shkaku i rrëzimit nuk është konfirmuar ende, Zyra e Prokurorit të Transportit të Siberisë Lindore bëri të ditur se helikopteri i përkiste pilotit të ndjerë, i cili dyshohet se nuk kishte licencë për të drejtuar mjetin fluturues. Po ashtu, u konstatua se helikopteri nuk ishte i regjistruar zyrtarisht sipas procedurave ligjore në fuqi.
Hetimet pritet të zbardhin detaje shtesë lidhur me këtë aksident tragjik ajror.




