Kreu i kompanisë “MABCO”, Behgjet Pacolli, ka lëshuar një deklaratë të fuqishme publike në reagim ndaj raportimeve të fundit mediale, sipas të cilave Prokuroria e Tiranës ka kërkuar asistencë nga Prokuroria e Përgjithshme në Kosovë për të hetuar destinacionin e mjeteve të një huaje të marrë nga kompania e tij. Mediat kishin pretenduar se në Shqipëri kanë hyrë vetëm 15 milionë euro nga ky financim.
Pacolli ka deklaruar se këto pretendime bëhen në mosnjohuri të plotë të fakteve dhe ka paralajmëruar se, nëse këto veprime të institucioneve konfirmohen, ato dëshmojnë një “qasje dekonstruktive” dhe sulm të hapur ndaj kompanisë “MABCO”, veçanërisht pas fitores së fundit ligjore në Gjykatën e Lartë më 26 maj 2026.
Katër pikat e reagimit të Pacollit dhe shifrat e investimit
Në deklaratën e tij, Pacolli ka renditur katër argumente kryesore për të rrëzuar pretendimet e ngritura në media:
- Selektiviteti i drejtësisë: Pacolli shpreh keqardhje që, përderisa nuk ka asnjë progres apo iniciativë për kallëzimet penale që vetë “MABCO” ka dorëzuar, në anën tjetër ndërmerren veptime të shpejta kundër tyre.
- Gatishmëria për transparencë: Ai kujton se vetë z. Behgjet Pacolli dhe Emin Pacolli janë intervistuar gjatë muajit tetor 2025 dhe se, po të ishte kërkuar, kompania do të dorëzonte me kënaqësi të gjitha historikët bankarë.
- Mbi 95 milionë euro investime: Reagimi hedh poshtë shifrën prej 15 milionësh. Pacolli sqaron se në projektin e VIA-s janë investuar rreth 95 milionë euro, të audituara dhe të konfirmuara nga auditorë të huaj, duke e quajtur aludimin për keqpërdorim të mjeteve privatë “të pasaktë dhe të pakuptimtë”.
- Ftesa për kontroll: “MABCO” ka kërkuar vetë nga Administrata Tatimore e Shqipërisë dhe KNIHD-ja që të verifikojnë të gjithë gjendjen e saj financiare.
“Nuk jemi kompani guackë, po na sulmojnë pas fitores në Gjykatën e Lartë”
Në deklaratë shprehet një zhgënjim i thellë për atë që quhet një valë “sulmesh, intimidimesh dhe veprimesh kundërshtuese” nga ana e institucioneve shtetërore, pikërisht pasi kompania fitoi betejën ligjore në Gjykatën e Lartë më 26 maj 2026.
“MABCO nuk është një ‘kompani guackë’; është shoqëri miliardëshe, financat e saj janë të audituara dhe të verifikuara në dy nivele, me monitorim dhe kontroll në kohë reale. Apeloj që çdo organ kompetent, kudo qoftë ai, të hetojë dhe verifikojë çdo lëvizje,” thuhet në deklaratë.
Akuza e fortë për ish-bashkëpunëtorët
Në mbyllje të reagimit të tij, Pacolli ka adresuar një akuzë direkte dhe të ashpër, duke ironizuar me situatën e krijuar:
“Ndoshta kam bërë një gabim që nga kjo kredi nuk e financuam Valon Ademin, si në rastet e mëparshme të kredisë së BKT-së, kur ai në bashkëpunim me Valon Llukën mori mbi 35 milionë pagesa për ‘punët e kryera’, pa kontroll dhe pa miratim të bordit të aksionarëve,” ka përfunduar Pacolli.




