Ballina > Kronikë > Tigri kërcen mes shikuesve në një cirk në Rusi (video)

Tigri kërcen mes shikuesve në një cirk në Rusi (video)

21 Apr 2026 Kronikë

AUTORITETET RUSE kanë nisur një hetim penal pasi një tigër u hodh mes shikuesve të tmerruar në një cirk në Rostov-mbi-Don, në jug të Rusisë.

Incidenti ndodhi gjatë një performance ku në arenë ndodheshin tre tigra dhe dy trajnerë, siç tregojnë pamjet e publikuara nga mediat lokale. Kur barriera mbrojtëse midis publikut dhe kafshëve u lëshua, njëri nga tigrat kërceu mbi të dhe vrapoi mes shikuesve.

Në video shihet kafsha duke lëvizur mes rreshtave të ulëseve, ndërsa një pjesë e publikut ikën në panik. Në një video tjetër, shihet trajneri i cili përpiqet ta drejtojë tigrin drejt daljes, ndërkohë që familje me fëmijë vëzhgojnë situatën.

“Të nderuar vizitorë, ju lutemi të qëndroni të qetë sepse përndryshe do ta përkeqësoni situatën”, u dëgjua përmes altoparlantëve të cirkut. Trajnerët në fund arritën ta drejtonin tigrin drejt një kafazi sigurie për transport. Sipas autoriteteve lokale, nuk pati të lënduar mes shikuesve.

Organet hetimore në rajonin e Rostovit njoftuan se është hapur një procedim penal për shkelje të standardeve të sigurisë. Për këtë vepër penale parashikohet gjobë deri në 300,000 rubla, punë e detyruar ose kufizim i lirisë, përkatësisht burgim deri në dy vjet.

Në faqen e internetit të cirkut thuhet se programi përfshin pikën “Atraksioni i Predatorëve” të udhëhequr nga Viktoria dhe Vitalij Dovgaljuk, në të cilën marrin pjesë tre tigra dhe një luaneshë.

Lini një përgjigje