Ballina > Rajoni > TENSIONET PAS DËBIMIT NGA TIVATI / Serbia bllokon kufijtë: Ndalohet hyrja e shtetasve të Malit të Zi

TENSIONET PAS DËBIMIT NGA TIVATI / Serbia bllokon kufijtë: Ndalohet hyrja e shtetasve të Malit të Zi

03 Jun 2026 Rajoni

Situata mes Podgoricës dhe Beogradit është tensionuar ndjeshëm mbrëmjen e sotme. Burime të shumta nga sektori i sigurisë kanë bërë me dije se autoritetet serbe kanë ndërmarrë masa represive në pikat kufitare, duke mos lejuar kalimin e shtetasve të Malit të Zi. Ky vendim vjen si një kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë e Beogradit zyrtar, pasi Mali i Zi dëboi nga aeroporti i Tivatit më shumë se 80 shtetas serbë, të cilët u konsideruan si kërcënim për sigurinë kombëtare gjatë Samitit BE – Ballkani Perëndimor.

Sipas informacioneve të siguruara, që nga ora 19:30 e mbrëmjes, asnjë qytetar me pasaportë malazeze nuk ka arritur të kalojë në territorin e Serbisë përmes pikave kryesore kufitare në Gostun, Jabuka dhe Draçenoc. Burime nga policia malazeze njoftojnë se kolegët e tyre serbë i kanë njoftuar jozyrtarisht se bëhet fjalë për një “masë të përkohshme që pritet të zgjasë pak”, megjithatë në terren situata paraqitet krejt ndryshe dhe kontrolli është kthyer në një bllokadë thuajse totale.

Ndërsa policia e Malit të Zi po vijon kontrollet rutinë dhe po lejon hyrjen e të gjithë personave që nuk shfaqin pengesa ligjore apo të sigurisë, në anën tjetër të kufirit prania e forcave të policisë serbe është shtuar ndjeshëm. Masat e rrepta dhe kontrollet e imtësishme po zbatohen në mënyrë selektive vetëm ndaj shtetasve malazezë, gjë që sipas zyrtarëve në Podgoricë ka krijuar një ndalesë të fshehtë e de fakto për lëvizjen e lirë të qytetarëve të tyre drejt shtetit fqinj.

Lini një përgjigje