Ballina > Aktualitet > Takim në Nju Jork: Mbështetje për Kosovën në NATO

Takim në Nju Jork: Mbështetje për Kosovën në NATO

12 Apr 2026 Aktualitet

Në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York, është zhvilluar një takim mes zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, dhe përfaqësuesve të Albanian-American Civic League.

Takimi u organizua nga ambasadori Blerim Reka dhe mblodhi figura të njohura të komunitetit shqiptaro-amerikan, përfshirë Joe dhe Shirley Dioguardi, drejtorin ekzekutiv Agim Aliçkaj, si dhe anëtarë të bordit.

Gjatë takimit, Konjufca vlerësoi lart kontributin e vazhdueshëm të Ligës në Uashington në mbështetje të çështjes së Kosovës dhe interesave kombëtare shqiptare. Ai informoi të pranishmit për zhvillimet e fundit, përfshirë diskutimet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, situatën politike në vend dhe përpjekjet e qeverisë për zhvillim ekonomik dhe forcim të shtetit përballë sfidave me Serbinë.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Ligës zhvilluan diskutime të thelluara mbi çështje strategjike dhe njoftuan për aktivitetet e ardhshme në Shtetet e Bashkuara, përfshirë pjesëmarrjen në takime të rëndësishme me ish-anëtarë të Kongresit amerikan.

Albanian-American Civic League shprehu mbështetje për punën e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, në luftën kundër korrupsionit, ndërtimin e shtetit dhe përballjen me hegjemoninë serbe.

Në fokus të veçantë të diskutimeve ishin dy prioritete strategjike: kundërshtimi i çdo përpjekjeje për krijimin e një asociacioni me shumicë serbe që do të cenonte funksionalitetin e shtetit të Kosovës, si dhe përshpejtimi i procesit të anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Po ashtu, Liga u bëri thirrje partive politike në Kosovë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në procesin e zgjedhjes së presidentit, duke paralajmëruar se bllokimi i këtij procesi dhe shkuarja në zgjedhje të reja do të dëmtonte vendin.

Liga Shqiptaro-Amerikane Civile ritheksoi se do të vazhdojë angazhimin e saj të fuqishëm në promovimin e interesave të Kosovës dhe shqiptarëve në SHBA.

Lini një përgjigje