Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, së bashku me drejtoreshën për Kulturë, Rini dhe Sport, Xhenet Syka Kelmendi, kanë pritur në një takim artistin me famë ndërkombëtare Sislej Xhafa.

Gjatë këtij takimi u diskutua për bashkëpunimin me Instituti i Artit Modern ARKIV, ku Xhafa është bashkëthemelues, me synimin që ky institut të shndërrohet në një pikë të rëndësishme të integruar në shtegun kulturor të qytetit.
Sipas njoftimit, Instituti ARKIV pritet të ofrojë një larmi ekspozitash dhe të sjellë emra të njohur të artit ndërkombëtar, duke pasuruar kalendarin artistik të Pejës për vitin 2026.

Ky bashkëpunim vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të jetës kulturore dhe promovimit të qytetit si një qendër e rëndësishme artistike në rajon dhe më gjerë.







