Shoferet që drejtojnë autobuzë në Kosovë e Shqipëri janë të rralla. Një ndër to është Syzana Geri, të cilën e takojmë në ndalesën e kontrollit në pikën kufitare të Morinit. Thotë se pasioni për një profesion të tillë i ka lindur shumë herët, një ëndërr e realizuar dhe prej 20 vitesh drejton autobusin.
“Prej 20 vitesh drejtoj autobusin me gjithë qejf. Prej fëmijërisë e kam pasur dëshirë. Po si të lindi kjo dëshirë? Po se di, kur e pashë mu duk interesant, kjo ka qenë dëshira ime.”
Për Syzanën nuk është aspak problem apo vështirësi drejtimi i një autobusi. Profesionin si shofer autobusi e ka nisur në Gjermani, aty ku ka kaluar edhe pjesën më të madhe të punës në timon. Në Kosovë dhe rrugët e Shqipërisë ndjehet më mirë.
“Duhet edhe ne femrat me i hy kësaj pune e me tregu veten që jemi edhe për këtë karrige këtu.”
Thotë se femrat, në përgjithësi, janë më të sigurta dhe me reflekse kontrolli në rrugë si shoferë.
Syzana nuk i ka shpëtuar mentalitetit në këtë profesion. Kujton edhe raste në të cilat është përballur me udhëtarë që kanë hezituar të hipin në autobus.
“Po kemi pasur kur jemi nisur në rrugë, kur e kanë parë që po vozitja unë, kanë qenë të lumtur.”
Në çdo rast Syzana thotë se përpiqet të krijojë atmosferë relaksi për udhëtarët.
Ajo udhëton në linjat ndërkombëtare të transportit publik Kosovë–Shqipëri përgjatë gjithë periudhës së vitit, ndërsa periudha e verës ka ngarkesën më të madhe duke kryer shpeshherë edhe dy rrugë në ditë.
/rtsh.al/




