Ballina > Rajoni > Sveti Stefan hapet për mysafirë, rikthehet kompleksi prestigjioz i Adriatikut

Sveti Stefan hapet për mysafirë, rikthehet kompleksi prestigjioz i Adriatikut

02 Jul 2026 Rajoni

Aman Sveti Stefan ka rihapur sot zyrtarisht dyert, duke rikthyer në funksion një nga komplekset hoteliere më prestigjioze në Mesdhe dhe një nga simbolet më të njohura të turizmit malazez.

Lajmi për rihapjen është bërë publik në kanalet zyrtare të brendit hotelier Aman, me një mesazh mirëseardhjeje për mysafirët, të cilët nga 1 korriku mund të shijojnë sërish ambientin unik të ishullit Sveti Stefan.

Kompleksi ishte hapur pjesërisht më 22 qershor, kur kishte nisur funksionimin Vila Milocer, ndërsa nga sot në funksion është vënë edhe pjesa ishullore e resortit.

I lidhur me kontinentin përmes një rripi të ngushtë me rërë rozë, Sveti Stefan ka evoluar nga një fshat i dikurshëm peshkatarësh në një kompleks luksoz hotelier me famë botërore. Gjatë dekadave, ai është shndërruar në destinacion të preferuar të familjeve mbretërore, burrështetasve, yjeve të Hollywood-it dhe shumë personaliteteve të njohura ndërkombëtare.

Rihapja e tij vlerësohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme për turizmin malazez në vitet e fundit. Në njoftimin e kompanisë Aman theksohet se Sveti Stefan mbetet një nga vendet më të veçanta në Adriatik, duke bashkuar historinë e pasur, arkitekturën autentike mesdhetare, bukuritë natyrore dhe shërbimin elitar, duke ofruar një përvojë unike për vizitorët në bregdetin e Malit të Zi.

Lini një përgjigje