Ballina > Bota > Strategjia e re e Trump për Hormuzin nxit shqetësime për një përshkallëzim

Strategjia e re e Trump për Hormuzin nxit shqetësime për një përshkallëzim

23 Mar 2026 Bota

Në një luftë me Iranin, presidenti Donald Trump është duke shqyrtuar gjithnjë e më shumë opsione për të gjetur zgjidhje për krizën në Ngushticën e Hormuzit.

Ai ka kaluar nga thirrjet për të siguruar hapjen e kësaj rruge ujore përmes mjeteve diplomatike, te heqja e sanksioneve dhe tani ka përshkallëzuar deri në një kërcënim të drejtpërdrejt ndaj infrastrukturës civile në Republikën Islamike, shkruan AP.

Trumpi dhe aleatët e tij këmbëngulin se kanë qenë gjithmonë të përgatitur që Irani mund të bllokojë këtë ngushticë, megjithatë strategjia e paqëndrueshme e presidentit republikan ka nxitur kritika se ai po kërkon me dëshpërim zgjidhje pasi hyri në luftë pa një plan të qartë daljeje. Të shtunën ishin përpjekjet e fundit të tij, përmes një ultimatumi ndaj Iranit: “ Nëse nuk e hapni ngushticën  brenda 48 orësh, Shtetet e Bashkuara do t’i shkatërrojnë termocentralet e vendit”.

Këshilltarët e Trumpit e mbrojtën kërcënimin si një taktikë të ashpër për ta detyruar Iranin të nënshtrohet. Kundërshtarët e përshkruan atë si dështim, duke deklaruar që Trumpi ka gabuar në llogaritjen e asaj që do të nevojitej për të dalë nga një ngërç gjeopolitik.

“Trumpi nuk ka asnjë plan për të rihapur Ngushticën e Hormuzit, ndaj po kërcënon të sulmojë termocentralet civile të Iranit,” tha senatori Ed Markey, duke shtuar se sulmi ndaj infrastrukturës civile do të përbënte “krim lufte”.

“Ai e ka humbur kontrollin e luftës dhe po bën panik,” tha senatori Chris Murphy, demokrat nga Connecticut, duke reaguar ndaj postimit të Trumpit.

Lini një përgjigje