Ballina > Aktualitet > Stomatologët nga Kosova pjesë e eventit ndërkombëtar “Denta South China” në Shangai

Stomatologët nga Kosova pjesë e eventit ndërkombëtar “Denta South China” në Shangai

09 Mar 2026 Aktualitet

Stomatologë nga Kosova po marrin pjesë në një nga ngjarjet më të rëndësishme të industrisë dentare në botë, panairin dhe simpoziumin ndërkombëtar “Denta South China”, i cili po mbahet në Shangai të Kinës. Ky event çdo vit mbledh mijëra profesionistë të stomatologjisë, kompani prodhuese dhe ekspertë të teknologjisë dentare nga shumë vende të botës.

“Denta South China” konsiderohet ndër panairet më të mëdha dhe më me ndikim në fushën e stomatologjisë, ku prezantohen teknologjitë më të fundit, pajisjet moderne dentare, materialet inovative si dhe zhvillimet më të reja në trajtimet dhe diagnostikimin stomatologjik. Gjatë këtij organizimi zhvillohen edhe ligjërata shkencore, seminare profesionale dhe prezantime nga ekspertë të njohur ndërkombëtarë.

Në mesin e pjesëmarrësve nga e gjithë bota janë edhe disa stomatologë nga Kosova, të cilët po ndjekin nga afër trendet dhe zhvillimet më të fundit të kësaj fushe. Delegacioni nga Kosova përbëhet nga: Granit Hyseni, Besart Kondirolli, Driton Haxhiu, Herolind Gola dhe Fisnik Meka.

Pjesëmarrja e këtij grupi stomatologësh nga Kosova në këtë event të rëndësishëm ndërkombëtar është organizuar nga kompania e njohur e produkteve stomatologjike “Neki Dent”, me pronar Nehat Peci, e cila prej vitesh bashkëpunon me kompani prestigjioze të industrisë dentare dhe sjell në Kosovë teknologjitë më bashkëkohore në këtë fushë.

Pjesëmarrja në panaire dhe simpoziume të këtij niveli u jep profesionistëve mundësinë të njihen nga afër me inovacionet më të fundit në stomatologjinë moderne, duke përfshirë teknologjitë digjitale, implantologjinë e avancuar, skanimin 3D dhe materialet e reja dentare që po transformojnë trajtimet dentare në nivel global.

Kjo prezencë e stomatologëve nga Kosova në një ngjarje kaq të rëndësishme ndërkombëtare vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt avancimit profesional dhe përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve stomatologjike për pacientët në Kosovë.

Lini një përgjigje