Ballina > Kronikë > “Snajperët e Fundjavës” — Investigimi tronditës që zbulon anën më të errët të rrethimit të Sarajevës

“Snajperët e Fundjavës” — Investigimi tronditës që zbulon anën më të errët të rrethimit të Sarajevës

27 Jun 2026 Kronikë

Çfarë nëse, gjatë rrethimit të Sarajevës, njerëzit nuk vriteshin vetëm nga urrejtja e luftës, por edhe për argëtim? Kjo është pyetja rrëqethëse që ngre libri më i ri i gazetarit dhe investiguesit italian Ezio Gavazzeni, i titulluar “Snajperët e Fundjavës”. Ky investigim guximshëm hedh dritë mbi një nga akuzat më të egra dhe më pak të njohura të luftës në Bosnjë: fenomenin e ashtuquajtur “Sarajevo Safari”.

Sipas dëshmive të mbledhura në libër, persona të pasur nga vende të ndryshme perëndimore paguanin shuma të mëdha parash vetëm për t’u ngjitur në pozicionet e snajperëve dhe për të qëlluar mbi civilë të pafajshëm gjatë rrethimit të qytetit. Për vite me radhë, kjo histori makabre mbeti në hije, e trajtuar vetëm në mënyrë fragmentare dhe shpesh e izoluar si një mit urban i luftës.

Megjithatë, Gavazzeni ka kaluar vite të tëra duke mbledhur dokumente, rrëfime të dëshmitarëve dhe dëshmi të dorës së parë për ta dokumentuar këtë realitet të errët. Publikimi i këtij libri ka rikthyer fuqishëm debatin publik në mbarë rajonin dhe më gjerë, duke nxitur kërkesa të reja për verifikime dhe hetime zyrtare mbi ngjarjet e asaj periudhe.

Autori Ezio Gavazzeni është një gazetar dhe editor italian me përvojë të gjatë në botën e botimeve dhe gazetarisë hulumtuese. I njohur për qasjen e tij skrupuloze ndaj burimeve dhe për trajtimin e temave të ndjeshme historike e kriminale, Gavazzeni sjell me “Snajperët e Fundjavës” një rrëfim që sfidon hapur narrativat e zakonshme të luftës. Ky libër nuk është thjesht një kronikë historike, por një thirrje e fuqishme që ngre pyetje të vështira mbi përgjegjësinë ndërkombëtare, moralin njerëzor dhe drejtësinë e munguar.

Lini një përgjigje