Shqiptarët në Maqedonin e Veriut kanë reaguar pas vendimit të Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut që gjobat e trafikut të shtypen vetëm në maqedonisht dhe anglisht, duke lënë jashtë gjuhën shqipe.
Profesori universitar Bashkim Selmani njoftoi se së shpejti do të organizohet një peticion, i cili do t’u dërgohet faktorëve ndërkombëtarë për mosrespektimin e gjuhës shqipe në këtë vend.
“Presidenti i Gjykatës Kushtetuese jo vetëm që e refuzoi këtë çështje, por shprehu edhe përçmim individual, gjë që na ka zemëruar shumë. Gjuha e nacionalizmit institucional është ajo që na detyron t’u drejtohemi institucioneve ndërkombëtare. A duan ata të pranojnë gjuhët dhe realitetin, apo duan që ne të mos pranojmë gjuhën dhe bashkëjetesën në Maqedoninë e Veriut?”, u shpreh ai.
Selmani theksoi se është e padrejtë që gjuha shqipe, të cilën e flasin mbi 25% e popullsisë, nuk gëzon status të plotë zyrtar në nivel shtetëror, duke e krahasuar me përdorimin e gjuhës serbe në Kosovë.
“Gjuha shqipe në Maqedoni nuk mund të krahasohet me përdorimin zyrtar të serbishtes në Kosovë. Mekanizmi i gjuhëve zyrtare është i tillë që çështja e shqipes mbetet e kufizuar. Në Maqedoni, shqipja nuk është e garantuar plotësisht në bazë kushtetuese, por varet nga përqindja e shqiptarëve dhe rrethanat politike”, theksoi ai.
Ndërkohë, partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut u kanë bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare që të ndjekin nga afër zhvillimet dhe të reagojnë ndaj çdo përpjekjeje për cenimin e rendit kushtetues dhe të drejtave të fituara të shqiptarëve.





