Ballina > Rajoni > Shqipëria, Kroacia dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin ushtarak, Serbia reagon ashpër: “Pakt kundër nesh”

Shqipëria, Kroacia dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin ushtarak, Serbia reagon ashpër: “Pakt kundër nesh”

03 Feb 2026 Rajoni

Përfaqësues të ministrive të mbrojtjes së Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë kanë zhvilluar një takim trilateral me synim forcimin e bashkëpunimit ushtarak dhe kapaciteteve mbrojtëse, duke shkaktuar reagime të menjëhershme dhe të ashpra nga Beogradi zyrtar, i cili këtë hap e sheh si kërcënim për stabilitetin rajonal.

Takimi u mbajt në kuadër të zbatimit të Deklaratës Trilaterale të nënshkruar në vitin 2025, ndërsa temë kryesore ishte avancimi i bashkëpunimit mes industrive të mbrojtjes të tri vendeve.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, delegacionet diskutuan për zhvillimin e përbashkët të kapaciteteve mbrojtëse, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta ushtarake, si dhe përballjen me kërcënimet hibride.

Qëllimi i kësaj nisme, sipas pjesëmarrësve, është forcimi i sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore, si dhe mbështetja e vazhdueshme e integrimeve euroatlantike. Delegacionin e Kosovës e udhëhoqi Faruk Geci, drejtor për politikat e mbrojtjes, ndërsa u theksua se aktivitetet po zhvillohen në përputhje me fushat e dakorduara të bashkëpunimit përballë sfidave të reja të sigurisë.

Megjithatë, ky hap ka nxitur reagime të forta në Serbi. Zyra e Qeverisë së Serbisë për Kosovën vlerësoi se bashkëpunimi ushtarak mes Tiranës, Zagrebit dhe Prishtinës rrezikon drejtpërdrejt paqen në Ballkanin Perëndimor.

Drejtori i kësaj zyre, Petar Petković, deklaroi se Serbia, si shtet ushtarakisht neutral, është shënjestër e këtij, siç e quajti ai, “pakti trepalësh”. Ai shtoi se kjo nismë nuk është e motivuar nga interesa ekonomike apo prosperitet rajonal, por nga “qëllime të dëmshme”.

Petković theksoi gjithashtu se përfshirja e Prishtinës në iniciativa formale të sigurisë përbën provokim të drejtpërdrejtë dhe shkelje të Rezolutës 1244 të OKB-së, duke nënvizuar se për sigurinë në Kosovë është përgjegjës KFOR-i.

Nga Beogradi u porosit se vendet fqinje duhet të fokusohen në paqe dhe zhvillim ekonomik, në vend se, sipas tyre, të kontribuojnë në destabilizimin e rajonit.

Lini një përgjigje