Shkencëtarët amerikanë kanë njoftuar zyrtarisht fillimin e fenomenit natyror klimatik El Niño në Oqeanin Paqësor, një zhvillim ky që pritet të rrisë ndjeshëm temperaturat globale dhe të sjellë çrregullime të mëdha të motit në mbarë botën.
Administrata Kombëtare e Oqeaneve dhe Atmosferës në SHBA (NOAA) ka konfirmuar se kushtet e El Niño-s tashmë janë të pranishme në Paqësorin Tropikal, ku temperatura e sipërfaqes së detit ka pësuar një rritje të hovshme gjatë muajve të fundit, raporton BBC.
Ky njoftim nuk vjen si befasia për meteorologët, të cilët e parashikonin këtë fazë ngrohjeje pas përfundimit të fenomenit La Niña – simotrës më të ftohtë të El Niño-s – në fillim të këtij viti. Megjithatë, ajo që shqetëson ekspertët është fuqia e tij; parashikimet e shumta sugjerojnë se ky mund të jetë një i ashtuquajtur “Super” El Niño, duke u rreshtuar ndër më të fuqishmit e regjistruar ndonjëherë në histori.
Rrezik për temperatura rekorde në vitet në vijim
I ndikuar edhe nga dekadat e ngrohjes globale të shkaktuar nga aktiviteti njerëzor, ky fenomen pritet të kulmojë me temperatura rekorde të nxehtësisë, me gjasë përgjatë vitit 2027. Pasojat e tij parashihen të jenë të rënda, duke përfshirë ekstreme të motit, pengesa në furnizimin me ushqim dhe goditje të forta për ekonomitë globale.
Çfarë thonë shkencëtarët? “Kushtet e El Niño-s janë zhvilluar gjatë muajit të kaluar, gjë që dëshmohet nga temperaturat e sipërfaqes së detit mbi mesataren në të gjithë Oqeanin Paqësor ekuatorial qendror dhe lindor”, thuhet në deklaratën zyrtare të agjencisë NOAA.
Reagon edhe atmosfera
Për të zyrtarizuar këtë fenomen, shkencëtarët bëjnë të ditur se temperaturat e sipërfaqes së detit në Paqësorin qendror dhe tropikal tashmë kanë kaluar pragun kritik prej 0.5 °C mbi mesataren.
Për më tepër, NOAA ka vërejtur se edhe erërat mbi Paqësorin ekuatorial kanë filluar të ndryshojnë drejtim. Ky konsiderohet një sinjal i qartë se atmosfera tashmë ka filluar t’i përgjigjet oqeanit më të ngrohtë, duke konfirmuar se nuk kemi të bëjmë thjesht me një ngrohje sipërfaqësore të ujit, por me një ndryshim të plotë strukturor të motit global.




