Ballina > Rajoni > Shiti shtëpinë në Gjermani për të shpëtuar fshatin e lindjes: Historia prekëse e boshnjakut Pero Jurqeviç

Shiti shtëpinë në Gjermani për të shpëtuar fshatin e lindjes: Historia prekëse e boshnjakut Pero Jurqeviç

21 Apr 2026 Rajoni

Fshati Postinje, afër Travnikut në Bosnjë-Hercegovinë, i cili dikur rrezikonte të harrohej plotësisht, sot po përjeton një rilindje të jashtëzakonshme. E gjithë kjo falë vizionit dhe sakrificës së një njeriu: Pero Jurqevic.

Pero u largua drejt Gjermanisë si fëmijë së bashku me prindërit e tij. Në Augsburg, ai ndërtoi një jetë të sigurt, u shkollua dhe krijoi një biznes të suksesshëm. Megjithatë, pavarësisht suksesit në emigrim, zemra e tij mbeti gjithmonë në livadhet ku dikur ruante lopët si djalosh.

Kur pa që pas luftës Postinja po zbrazej dhe bashkëfshatarët po shisnin tokat e tyre, Pero mori një vendim drastik: shiti shtëpinë e tij në Gjermani dhe të gjitha kursimet i investoi për të blerë shtëpitë dhe arat që ishin në shitje në fshatin e tij.

“Bleva atë që dikur ishte e jona: shtëpi, livadhe, pyje dhe ara. Pothuajse gjysma e fshatit sot është sërish në një dorë, por me qëllimin që ai të gjallërohet sërish,” tregon Pero me krenari.

Plani i Peros nuk është thjesht të kthehet për vete, por të ndërtojë një të ardhme për të gjithë zonën. Ai po e transformon Postinjen në një destinacion të turizmit rural.

Në këtë rrugëtim, Pero nuk është vetëm. Ai ka mbështetjen e kushëririt dhe mikut të tij, Dragan Balta, i cili aktualisht punon në Zvicër, por ëndërron gjithashtu rikthimin.

Shenja më e mirë e suksesit është se fëmijët e tyre tashmë vijnë në fshat për pushime. Djali dhe nusja e Peros kanë shprehur dëshirën për t’u kthyer përfundimisht me fëmijët e tyre, duke mbajtur gjallë shpresën se Postinja do të dëgjojë sërish zërat e fëmijëve si dikur.

Para luftës, fshati kishte rreth 120 banorë. Sot, Pero shpreson që përmes turizmit dhe investimeve, ta kthejë atë frymë të dikurshme. Historia e tij është një thirrje për të gjithë diasporën: se shtëpia e vërtetë është aty ku janë rrënjët, dhe se me punë e dashuri, edhe fshatrat e harruar mund të bëhen sërish qendra të jetës.

Lini një përgjigje