Kryeministri Edi Rama ka publikuar një deklaratë të Komisioneres Marta Kos, lidhur me diskutimet për projektet turistike të planifikuara në Zvërnec dhe në Sazan.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan se Komisioni Europian është njohur në detaje me procesin administrativ lidhur me to dhe se Komisionerja Kos “ka folur qartë për të gjithë ata që duan t’i referohen fakteve”.
“Komisioni Europian është njohur në detaje me procesin e dokumentuar administrativ lidhur me Sazanin e Zvërnecin dhe vetë Komisionerja Marta Kos ka folur qartë për të gjithë ata që duan t’i referohen fakteve”, shkruan Rama
Në deklaratën e saj të dhënë një ditë më parë, Komisionerja mirëpriti të drejtën për të protestuar si një liri themelore për BE-në dhe të gjithë anëtarët aspirantë, ndërsa tha se për projektet ka marrë garanci nga qeveria shqiptare se do të kryhet verifikim i plotë i ndikimit në mjedis dhe se do të respektohen standardet europiane për mjedisin.
Ajo nënvizon se Shqipëria ka bërë përparim të rëndësishëm në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe se ky progres duhet njohur e mbrojtur.
“Shqipëria është një nga vendet pararojë në procesin e zgjerimit dhe ka bërë përparim të rëndësishëm në mbrojtjen e mjedisit. Ky përparim është i vlefshëm, i njohur dhe duhet ët mbrohet. Në situata të tilla është e rëndësishëm që të gjithë të punojmë mbi bazën e fakteve. Komisioni Europian është në kontakt të vazhdueshëm me autoritete shqiptare, jo vetëm me kryeministrin Edi Rama. Sa i përket projektit në zonën Pishporo-Nartë, ashtu si për të gjitha projektet e tjera në zhvillim ën Shqipëri, ai duhet ët jetë në përputhje me kuadrin ligjor dhe standardet e përcaktuara në kapitullin e mjedisit. Kapitulli 27 i procesit të anëtarësimit është i hapur dhe përpara se të mbyllet situata do ët duhet të sqarohet plotësisht, ndërsa mbyllja e tij parashikohet të ndodhë deri në fund të vitit 2027. Roli ynë është të verifikojmë nëse standardet përkatëse janë përmbushur.
Deri atëherë ne inkurajojmë autoritete shqiptare të ndërmarrin hapa që mbështesin përmbushjen e standardeve të mbylljes së kapitujve që ndihmojnë Shqipërinë të ecë përpara në rrugën europiane. Ne kemi marrë garanci nga qeveria e Shqipërisë se do të kryhet verifikim i plotë i ndikimit në mjedis dhe standardet europiane për mjedisin do të respektohen. Fakti që kjo po ndodh ndërsa Shqipëria po kalon nëpër procesin e anëtarësimit është i rëndësishëm. Ky proces është ligjërisht dhe politikisht i detyrueshëm dhe i nënshtrohet shqyrtimit dhe vlerësimit të vazhdueshëm. Pra, kjo ofron garancinë më të fortë se natyra dhe mjedisi i Shqipërisë do të mbrohen në përputhje me standardet evropiane”, shprehet Komisionerja.
/rtsh.al/




