Ballina > Bota > Rusia lëshon raketa balistike drejt Kievit, humbin jetën 14 persona, plagosen 22 të tjerë

Rusia lëshon raketa balistike drejt Kievit, humbin jetën 14 persona, plagosen 22 të tjerë

05 Aug 2026 Bota

Rusia ka ndërmarrë një sulm të gjerë me raketa balistike dhe dronë ndaj Ukrainës, duke u marrë jetën të paktën 14 personave dhe duke plagosur 22 të tjerë. Sulmi konsiderohet një nga më vdekjeprurësit ndaj Kievit gjatë këtij viti.

Sulmet nisën pak pas mesnatës së së mërkurës, ndërsa alarmet për sulme ajrore qëndruan aktive për më shumë se një orë. Sipas kreut të administratës ushtarake të Kievit, Timur Tkachenko, forcat ruse ndërmorën një ofensivë masive ndaj rajonit të kryeqytetit.

Autoritetet ukrainase bëjnë me dije se raketat goditën ndërtesa banimi dhe objekte magazinimi në disa zona të rajonit të Kievit. Sipas Tkachenkos, nëntë persona humbën jetën në distriktin Boryspil, katër në Bucha dhe një tjetër në Fastiv. Pas sulmit, Ukraina u bëri sërish thirrje aleatëve perëndimorë të shtojnë furnizimet me raketa interceptuese të sistemit amerikan Patriot, të cilat konsiderohen jetike për mbrojtjen ndaj raketave balistike ruse.

Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se objektivat e sulmit ishin qendrat logjistike dhe depot e furnizimit ushtarak në Kiev dhe zonat përreth.

Sipas Moskës, këto objekte përdoreshin për ruajtjen dhe shpërndarjen e armëve, furnizimeve ushtarake, si edhe për prodhimin dhe përdorimin e mjeteve ajrore pa pilot.

Ministria ruse shtoi gjithashtu se forcat e saj goditën tre anije mallrash pranë portit të Odesës në Detin e Zi, duke pretenduar se ato transportonin armë dhe pajisje ushtarake. Pretendimet e palës ruse nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

/rtsh.al/

Lini një përgjigje