Ballina > Bota > Rreth 200 studentë të Stanfordit braktisin ceremoninë e diplomimit në shenjë proteste ndaj shefit të Google, Sundar Pichai

Rreth 200 studentë të Stanfordit braktisin ceremoninë e diplomimit në shenjë proteste ndaj shefit të Google, Sundar Pichai

15 Jun 2026 Bota

Rreth 200 studentë të Universitetit të Stanfordit kanë braktisur ceremoninë e tyre të diplomimit të dielën, në momentin kur CEO i gjigantit teknologjik Google, Sundar Pichai, po ngjitej në skenë për të mbajtur fjalimin kryesor.

Sipas raporteve nga mediat e huaja, ky largim masiv u organizua nga grupi “Studentët për Drejtësi në Palestinë” (Students for Justice in Palestine) dhe disa organizata të tjera, si një formë proteste kundër lidhjeve të kompanisë Google me Izraelin dhe Shërbimin Amerikan të Emigracionit (ICE).

Në pamjet e shpërndara masivisht në rrjetet sociale, shihen studentët duke u larguar nga stadiumi ku po mbahej ceremonia. Disa prej tyre mbanin në duar flamuj palestinezë, ndërsa të tjerë mbanin pankarta me mesazhe të ashpra si “Gjenocidi shkon bashkë me Google” dhe “ICE spiunon përmes inteligjencës artificiale të Google”.

Dega e Stanfordit e organizatës “Studentët për Drejtësi në Palestinë” ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Instagram, duke thënë se ky ishte një mesazh i qartë kundër korporatës.

“Pichai u përball me pamjen e qindra studentëve të cilët treguan se nuk mund të jashtohen më nga historitë e dollarit apo të inteligjencës artificiale që po rritet me shpejtësi. Ne jemi në dijeni të krimeve të Google në bashkëpunim me Izraelin, ICE-në dhe kompanitë si Palantir”, thuhet në deklaratën e tyre.

Organizatorët e protestës falënderuan gjithashtu stafin akademik dhe komunitetin që mbështeti këtë kauzë, duke u uruar në të njëjtën kohë suksese të diplomuarve në hapat e tyre të radhës pas përfundimit të studimeve në Stanford.

Lini një përgjigje