Ballina > Aktualitet > Reporterët pa Kufij: Kosova shënon përparim në lirinë e medias

Reporterët pa Kufij: Kosova shënon përparim në lirinë e medias

30 Apr 2026 Aktualitet

Kosova ka përmirësuar pozicionin e saj në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit, duke u ngjitur në vendin e 84-të – një avancim prej 15 vendesh krahasuar me një vit më parë. Sipas Reporterëve pa Kufij, ky përparim vjen në një kohë kur pjesa më e madhe e vendeve të Ballkanit Perëndimor po përballen me përkeqësim të lirisë së medias.

Megjithatë, pavarësisht këtij përmirësimi, Kosova vazhdon të mbetet ndër vendet më dobët të renditura në Evropë në këtë fushë. Ky zhvillim vjen pas një viti sfidues, kur vendi kishte pësuar rënien më të madhe në 15 vitet e fundit, duke zbritur në vendin e 99-të nga gjithsej 180 shtete në renditjen globale.

Raporti thekson se trendet në rajon mbeten shqetësuese, ndërsa progresi i Kosovës shihet si një përjashtim i rrallë në një ambient gjithnjë e më të vështirë për lirinë e shtypit.

Pavarësisht përparimit të shënuar, nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova nuk qëndron më së miri sa i përket lirisë së shtypit.

Shqipëria është vetë një pozitë më lart se Kosova, pra në vendin e 83-të, Mali i Zi renditet në vendin e 41-të në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij.

Maqedonia e Veriut sivjet u radhit në vendin e 45-të, Bosnjë dhe Hercegovina në vendin e 90-të dhe Serbia më së keqi, duke u radhitur e 104-ta.

Sipas raportit, rajoni i Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore vazhdon të jetë në vendin e parafundit në radhitje në indeksin e këtij viti, ndërkaq zona e BE-së dhe Ballkanit është në vendin e parë pavarësisht rënies së kushteve në gazetari.

Në indeksin e organizatës, në vendin e parë sa i përket lirisë së shtypit është Norvegjia, ndërsa në vendin e 180-të është Eritrea.

Lini një përgjigje