Ballina > Vendi > Rasim Selmanaj: Kandidimi i Ramush Haradinajt, kompromisi më i mirë për Presidentin e Kosovës

Rasim Selmanaj: Kandidimi i Ramush Haradinajt, kompromisi më i mirë për Presidentin e Kosovës

25 Feb 2026 Vendi

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike rreth çështjes së zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, duke theksuar se kompromisi më i mirë në rrethanat aktuale politike është kandidimi i Ramush Haradinaj.

Përmes një postimi publik, Selmanaj ka komentuar situatën e krijuar rreth kandidimit ose moskandidimit të Presidentes aktuale, Vjosa Osmani, duke e krahasuar atë me shprehjen popullore: “Hyp se të vrava, zhdryp se të vrava”, duke nënkuptuar vështirësinë dhe pasojat politike të secilës zgjedhje.

Sipas Selmanajt, tashmë është e qartë se Kryeministrit Albin Kurti nuk i konvenon kandidimi i Osmanit për një mandat tjetër presidencial. Megjithatë, ai thekson se eliminimi i saj nga gara do të kishte një kosto të lartë politike për Kurtin dhe subjektin që ai drejton.

“Çështja e Presidentit të Kosovës veçse ka krijuar një momentum të ri politik”, shkruan Selmanaj, duke shtuar se ditët në vijim pritet të sjellin zhvillime të rëndësishme në skenën politike të vendit.

Në këtë kontekst, ai ngre edhe pikëpyetje për raportet mes Osmanit dhe Kurtit, duke lënë të kuptohet se mund të bëhet fjalë për fundin e tandemit politik mes tyre.

Në përfundim të reagimit të tij, Selmanaj vlerëson se zgjidhja më racionale dhe kompromisi më i pranueshëm për të gjitha palët, në këto rrethana politike, mbetet kandidimi i Ramush Haradinajt për postin e Presidentit të Kosovës.

Lini një përgjigje