Kryetari i partisë “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, Nenad Rashiq, ka deklaruar se nuk pret që qeveria e re e Kosovës të votohet në seancën e nesërme konstituive të Kuvendit.
Rashiq, i cili aktualisht mban pozitën e ministrit në detyrë për Komunitete dhe Kthim, ka thënë se ende nuk ka zhvilluar takim me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, por se një takim i tillë pritet të ndodhë pas konstituimit të legjislaturës së re.

“Ende nuk jemi takuar, por besoj se do të takohemi këto ditë. Për nesër besoj se do të kemi vetëm pjesën e konstituimit të Kuvendit dhe nuk do të hyjmë në marrëveshje të tjera. Pres që pas ditës së nesërme të takohemi dhe të flasim për angazhimin në qeverinë e re, kurdo që të bëhet e mundur. Sa di unë, nuk do të votohet qeveria”, ka thënë Rashiq për “KosovaPress”.
Ndërkohë, përfaqësuesit e tjerë të komuniteteve jo-shumicë kanë bërë të ditur se janë të gatshëm për formimin e institucioneve të reja.




