Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se ka nisur shpërndarja e teksteve falas për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqipe për fëmijët shqiptarë në diasporë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka njoftuar se tekstet do të shpërndahen në 15 shtete, duke përfshirë komunitetet shqiptare në Greqi, Itali, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada.
Sipas tij, këtë vit, përveç niveleve të para dhe të dyta të teksteve mësimore, është përfshirë edhe niveli i tretë, duke krijuar një paketë më të plotë për nxënësit që mësojnë gjuhën shqipe jashtë vendit.
“Po vijon shpërndarja e teksteve falas për të mbështetur mësimin e gjuhës dhe kulturës shqipe të fëmijëve shqiptarë në diasporë”, ka shkruar Rama.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se puna për krijimin e Agjencisë së re Kombëtare të Gjuhës Shqipe është drejt finalizimit, duke e cilësuar si një instrument institucional për standardizimin e mësimit të shqipes.
Sipas Ramës, kjo nismë synon edhe forcimin e rolit të gjuhës shqipe në arenën ndërkombëtare, përfshirë përpjekjet që ajo të ketë një përfaqësim më të fuqishëm në kuadër të gjuhëve të Bashkimit Evropian.





