Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar nisjen e punimeve për aksin rrugor Milot–Balldren si një hap shumë të rëndësishëm për zhvillimin e Shkodrës, Lezhës dhe gjithë veriut të vendit.
Rama tha se ky investim i ri do të shërbejë edhe si një shtysë e re për zhvillimin ekonomik por edhe turizmin.
“Për Shkodrën, Lezhën dhe gjithë veriun, nisja e punës për aksin Milot–Balldren është një hap shumë i rëndësishëm për zhvillimin e zonës. Ky projekt do të lehtësojë lëvizjen, do të rrisë sigurinë rrugore dhe do t’i japë një shtysë të re turizmit, biznesit dhe ekonomisë në Shkodër, Lezhë dhe gjithë veriun e vendit”, u shpreh Rama.
Pesë ditë më parë u shpall fituesi për ndërtimin e aksit rrugor Milot–Balldren, një projekt i rëndësishëm infrastrukturor që konsiderohet pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian dhe që pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e qarkullimit në zonën veriore të Shqipërisë.
Ky aks shërben si një lidhje strategjike mes veriut dhe pjesëve të tjera të vendit, duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe transportin e mallrave.
Aksi Milot–Balldren është pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian, një nga projektet më të rëndësishme rajonale të infrastrukturës, i cili synon të rrisë lidhshmërinë dhe të përmirësojë lëvizjen e mjeteve në Shqipëri dhe në rajon.
/rtsh.al/




