Pas një beteje disamujore institucionale, qytetarët me origjinë nga Kosova që kanë qëndrim të rregulluar në Mal të Zi do të mund të realizojnë të drejtën për sigurim shëndetësor, duke paraqitur një vërtetim nga autoritetet kompetente në Kosovë se nuk janë të siguruar shëndetësisht.
Lajmin e bëri të ditur për Portalin RTCG, drejtori ekzekutiv i Shoqatës për Mbështetjen e Romëve dhe Egjiptianëve nga Berana, Sultan Beća, i cili tha se me këtë vendim është korrigjuar një padrejtësi shumëvjeçare që kishte prekur dhjetëra familje.
“Pas një beteje të gjatë institucionale janë krijuar kushtet që qytetarët me origjinë nga Kosova të përfitojnë sigurim shëndetësor. Ky është një hap i rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe korrigjimin e një padrejtësie që ka zgjatur me vite”, deklaroi Beća.
Sipas tij, procesi nisi pasi shumë qytetarë iu drejtuan shoqatës, duke mos qenë në gjendje të ushtronin një nga të drejtat themelore – qasjen në kujdes shëndetësor.
Shoqata iu drejtua fillimisht Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, ndërsa më pas paraqiti ankesë zyrtare te Avokati i Popullit i Malit të Zi për trajtim të pabarabartë në realizimin e së drejtës për sigurim shëndetësor.
Pas shqyrtimit të rastit, Avokati i Popullit konstatoi shkelje të parimit të trajtimit të barabartë dhe elemente të diskriminimit indirekt, duke i rekomanduar Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Malit të Zi të eliminojë parregullsitë dhe të garantojë qasje të barabartë në sigurimin shëndetësor.
Më pas, shoqata e informoi për këtë çështje edhe Qeverinë e Malit të Zi, kryeministrin Milojko Spajić, Delegacionin e Bashkimit Evropian në Mal të Zi, ambasadorin Johann Sattler dhe institucionet e tjera përgjegjëse, duke kërkuar zbatimin urgjent të rekomandimeve të Avokatit të Popullit.
Beća e cilësoi vendimin si shumë më tepër se një ndryshim administrativ.
“Është një fitore për njerëzit, për familjet që për vite kanë jetuar me ndjenjën e padrejtësisë, për prindërit që shqetësoheshin se si do t’i trajtonin fëmijët e tyre dhe për të gjithë ata që kërkonin vetëm barazi para institucioneve të shtetit,” tha ai.
Shoqata falënderoi Avokatin e Popullit, Ministrinë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Qeverinë e Malit të Zi, kryeministrin Milojko Spajić, Delegacionin e BE-së dhe ambasadorin Johann Sattler për kontributin në zgjidhjen e këtij problemi shumëvjeçar.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, në Beranë jetojnë afro 800 pjesëtarë të komunitetit rom dhe egjiptian, prej të cilëve 542 janë romë. Shumica e romëve dhe egjiptianëve në këtë qytet u vendosën pas luftës në Kosovë në vitin 1999.




