Ballina > Aktualitet > Procedohet Projektligji për çmimet tavan nga Kusari-Lila

Procedohet Projektligji për çmimet tavan nga Kusari-Lila

20 Feb 2026 Aktualitet

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila ka njoftuar se e ka iniciuar procedurën për Projektligjin për çmimet tavan. 

“Pas miratimit të agjendës legjislative në Qeverinë e Kosovës dhe duke pasur parasysh rëndësinë e këtij projektligji dhe premtimin e Kryeministrit Kurti për miratimin e tij që në fillim të mandatit të ri, sot nënshkrova inicimin e procedurës për Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në rast të krizave ekonomike (Ligji për çmimet tavan)”, ka shkruar Kusari Lila në Facebook.

Ajo ka thënë se ky është një hap i domosdoshëm për të mbrojtur konsumatorin dhe për të garantuar stabilitet në treg.

“Ky projektligj krijon bazën ligjore për ndërhyrje të shpejtë dhe të drejtë kur përballemi me: rritje të papritura të çmimeve, mungesë të produkteve themelore, çrregullime në furnizim”, ka shkruar Kusari-Lila. 

Ajo ka thënë se qëllimi nuk është ndërhyrja arbitrare në treg, por mbrojtja e qytetarëve nga abuzimi dhe spekulimi në kohë krize. 

Select an inline ad from the block settings.

“Masat janë të përkohshme, proporcionale dhe të orientuara drejt ruajtjes së stabilitetit ekonomik. Duke adresuar edhe vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese nga e kaluara, po ndërtojmë një kornizë më të fortë, më të qëndrueshme dhe ligjërisht solide. Në një periudhë kur inflacioni ka prekur çdo familje, shteti duhet të jetë garant i balancës mes tregut të lirë dhe interesit publik”, ka shkruar Kusari-Lila. 

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të premten ka miratuar Projekt-programin e projektligjeve 2026-2028.

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se në kuadër të agjendës legjislative do të prioritizojnë procedimin e Projektligjit për Byronë shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe Projektligjin e ri për çmimet tavan./koha.net/

Lini një përgjigje