Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me kongresmenin amerikan Keith Self, njëherësh anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Kongresit amerikan ndaj Kosovës dhe për angazhimin e kongresmenit Self në çështjet që lidhen me të drejtat e njeriut dhe pakicave në Ballkanin Perëndimor.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe situata e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, si dhe rëndësia e avancimit të nismave ligjore në SHBA që adresojnë diskriminimin sistematik dhe shkeljet e të drejtave të komunitetit shqiptar në Serbi.
Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke vlerësuar rolin e SHBA-së si aleat kyç në forcimin e paqes, demokracisë dhe stabilitetit në rajon.
Nga ana e tij, kongresmeni Keith Self riafirmoi përkushtimin për të mbështetur vlerat demokratike, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, si dhe interesimin e tij për zhvillimet në Kosovë dhe rajon.





