Policia e Kosovës ka dhënë detaje për vrasjen e dyfishtë që ka ndodhur mbrëmë në fshatin Majac të Podujevës.
Sipas Policisë një burrë është gjetur i vdekur në një veturë jashtë një shtëpie, ndërkohë që brenda shtëpisë janë gjetur dy gra të plagosura me armë zjarri. Njëra ka vdekur pak orë më vonë në QKUK ku ka qenë duke u trajtuar.
Policia ka njoftuar se ka pranuar një informatë se në fshatin Majac të Podujevës, dyshohet që një person i cili gjendet në një veturë është pa shenja jete. Njësitë relevante policore, njësia e hetimeve dhe forenzika menjëherë janë angazhuar dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes për t’u marrë me rastin. Po ashtu janë njoftuar edhe prokurori kompetent dhe ekipet mjekësore të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Sipas Policisë burri i vrarë është nga Obiliqi.
“Bazuar në informacionet dhe hetimet fillestare, në vendin e ngjarjes është hasur vetura (VW) ngjyrë e bardhë me targa lokale (01), e cila është verifikuar dhe ka dalë në pronësi të një personi mashkull kosovar nga Obiliqi. Nga ekipi mjekësor është konstatuar se personi mashkull kosovar i hasur në automjet është pa shenja jete”, thuhet në njoftim.
Referuar veprimeve dhe hetimeve intensive, në njoftimin e Policisë thuhet se është siguruar informacioni se, dyshohet që një person i gjinisë femërore është brenda në një shtëpi, posedon armë zjarri dhe nuk pranon të komunikojë me askënd, e cila siç theksohet, paraqet rrezik jete për vetën e saj dhe për të tjerët.
“Referuar situatës, janë angazhuar Njësia Speciale Intervenuese dhe zyrtarët për ndërmjetësim, të cilët kanë intervenuar brenda në shtëpi duke vënë situatën nën kontroll, ku dy persona të gjinisë femërore janë gjetur brenda, të cilat dyshohet se kanë plagë të rënda, por janë me shenja jete. Nga njësia emergjente iu është dhënë tretmani mjekësor, dhe pastaj të njëjtat nën mbikëqyrjen mjekësore dhe policore janë dërguar në qendrën spitalore”, thuhet në njoftim.
Ndërsa Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) thuhet se ka bërë tërheqjen e trupit të pajetë nga vendi i ngjarjes.
Në raport tutje thuhet se të hënën në orët e hershme është raportuar se viktima femër kosovare ka ndërruar jetë në QKUK, vdekjen e të cilës e ka konstatuar mjeku kujdestar.
“Ne lidhje me këtë është njoftuar Prokurori kompetent nga Departamenti i Krimeve të Rënda i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në IML për obduksion, ndërsa rasti të ri-cilësohet në drejtim të veprës penale ‘Vrasja e Rëndë’ dhe ‘Mbajtje ne Pronësi, Kontroll ose Posedim të Paautorizuar të Armeve’”, thuhet në njoftimin e Policisë.




