Ballina > Aktualitet > Policia godet përdorimin e telefonit në Gjakovë: Shqiptohen 306 gjoba dhe pezullohen 44 patentë shoferë

Policia godet përdorimin e telefonit në Gjakovë: Shqiptohen 306 gjoba dhe pezullohen 44 patentë shoferë

15 Jun 2026 Aktualitet

Me qëllim të rritjes së sigurisë në trafikun rrugor dhe parandalimit të aksidenteve me pasoja të rënda, Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Gjakovë ka intensifikuar aktivitetet policore në terren, duke zbatuar planin operativ “Përdorimi i telefonit”.

Ky plan është realizuar në periudhën nga 10 deri më 14 qershor 2026 dhe ka pasur në fokus identifikimin e drejtuesve të mjeteve që përdorin telefonin celular gjatë ngasjes, një veprim ky që paraqet rrezik të konsiderueshëm për sigurinë në komunikacion.

Gjatë zbatimit të këtij plani pesëditor, policia ka ndërmarrë masa të rrepta preventive dhe ligjore ndaj kundërvajtësve. Si rezultat i kontrolleve të shtuara, janë shqiptuar gjithsej 306 gjoba trafiku. Për më tepër, për 44 shoferë është shqiptuar masa mbrojtëse e marrjes së patentë shoferit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka bërë të ditur se do të vazhdojë me aktivitete të ngjashme preventive dhe operative, me synim ngritjen e nivelit të sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve, veçanërisht atyre me pasoja fatale.

Në fund, Policia e Kosovës ka drejtuar një apel të hapur te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut, të shmangin përdorimin e telefonit gjatë ngasjes dhe të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi më të sigurt për të gjithë përdoruesit e rrugës.

Lini një përgjigje