Ballina > Vendi > Policia e Kosovës me plan të veçantë operativ për 17 Shkurtin – paralajmërohen ndërprerje të përkohshme të trafikut në Prishtinë

Policia e Kosovës me plan të veçantë operativ për 17 Shkurtin – paralajmërohen ndërprerje të përkohshme të trafikut në Prishtinë

16 Feb 2026 Vendi

Me rastin e shënimit të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat e nevojshme planifikuese, operative dhe preventive, duke hartuar një plan të veçantë operativ për të garantuar mbarëvajtjen e qetë dhe festive të aktiviteteve.

Sipas njoftimit, qëllimi është që qytetarëve t’u mundësohet festimi i Ditës së Pavarësisë në një ambient të sigurt dhe të qetë.

Edhe këtë vit, “Dita e Pavarësisë e RKS-së” do të shënohet me ngjarje kulturore, aktivitete dhe manifestime të ndryshme, të cilat kanë nisur më 16.02.2026 dhe vazhdojnë sipas agjendës shtetërore. Ndër aktivitetet kryesore të 17 shkurtit përfshihet edhe parakalimi i Forca e Sigurisë së Kosovës dhe i Policisë së Kosovës.

Qëllimet e planit operativ:

  • Mbajtja e rendit dhe qetësisë publike dhe zbatimi i ligjit;
  • Shtimi i masave të sigurisë për garantimin e rendit dhe sigurisë publike;
  • Ofrimi i sigurisë së shtuar para, gjatë dhe pas zhvillimit të aktiviteteve;
  • Ngritja e nivelit të përgjegjësisë policore në monitorim, reagim dhe veprime konform situatës, për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët në mbarë vendin.

Ndërprerje të përkohshme të trafikut

Bazuar në agjendën shtetërore, në disa segmente rrugore të Prishtina do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit rrugor.

Ndërprerja pritet të fillojë nga ora 07:00 në këto rrugë:

  • Rruga “Fehmi Agani”
  • Rruga “Luan Haradinaj”
  • Rruga “Kosta Novakoviq”
  • Rruga “Tirana” (segmenti te hekurudha, në kthim – një korsi)
  • Rruga “Robert Doll” (një korsi, për parkimin e autobusëve dhe kamionëve të personelit të PK-së dhe FSK-së)

Me qëllim të shmangies së kolonave dhe lehtësimit të qarkullimit, qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik luten të shmangin këto rrugë dhe të shfrytëzojnë rrugë alternative. Për orientimin dhe menaxhimin e trafikut do të kujdesen njësitë policore.

Policia e Kosovës kërkon mirëkuptimin e plotë të qytetarëve dhe i falënderon ata për bashkëpunimin e vazhdueshëm.

Lini një përgjigje