Përmes një komunikate të përbashkët për media, Prokuroria Themelore në Pejë dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar për zbulimin dhe shkatërrimin e një laboratori të drogës në fshatin Jabllanicë e Vogël, në Komunën e Pejës.
Sipas komunikatës, aksioni është realizuar nga Departamenti për Krime të Rënda në koordinim me Njësinë Anti-Drogë në Pejë, në kuadër të planit operativ “Stop drogave”.
Gjatë operacionit është zbuluar një laborator i sofistikuar për prodhimin e narkotikëve të llojit kanabis sativa. Autoritetet kanë sekuestruar 91 bimë kanabis, pajisje të avancuara për kultivim, si dhe një armë zjarri.
Tutje, bëhet e ditur se është konstatuar edhe kyçje ilegale në rrjetin elektrik për funksionimin e laboratorit.
Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar, i cili me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë.
Me autorizim të prokurorit, bimët narkotike janë sekuestruar dhe më pas janë asgjësuar, ndërsa provat e tjera do të përdoren në procedurën penale.
Në komunikatë thuhet se prokurori i shtetit, brenda afatit ligjor, do të parashtrojë kërkesë për sigurimin e prezencës së të dyshuarit në procedurë.
Autoritetet ritheksojnë përkushtimin në luftimin e kriminalitetit dhe u bëjnë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë duke raportuar çdo aktivitet të kundërligjshëm.




