Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka marrë pjesë në ceremoninë përmbyllëse të programit GENESIS, i cili synon fuqizimin e kapaciteteve profesionale të të rinjve në fushën e animacionit dhe zhvillimin e këtij sektori në Kosovë.
Programi është zbatuar nga Anibar në partneritet me Institut français du Kosovo dhe me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës. Ai ka përfshirë trajnime, masterclass-e, mentorim dhe prezantim projektesh, duke u ofruar pjesëmarrësve mundësi për zhvillim profesional dhe prezantim në arenën ndërkombëtare.
Në ceremoninë përmbyllëse janë prezantuar projektet e pjesëmarrësve dhe janë ndarë certifikatat për përfituesit e programit.
Me këtë rast, ministrja Bogujevci ka vlerësuar kontributin e të rinjve dhe rëndësinë e programit për zhvillimin e industrisë kreative në vend, duke theksuar se iniciativa të tilla krijojnë mundësi konkrete për avancimin e talenteve të reja.
Ndërkaq, Anibar vazhdon të gëzojë mbështetje trevjeçare nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, si pjesë e angazhimit për zhvillimin e sektorit kulturor dhe kreativ në Kosovë.





