Komuna e Pejës ka shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm në fushën e diplomacisë dhe menaxhimit lokal, duke u përfaqësuar si e vetmja komunë nga Republika e Kosovës në kuadër të Asociacionit Evropian të Demokracive Lokale (ALDA).
Në këtë ngjarje të madhe të financuar nga Bashkimi Evropian (#EUfunded), Peja po prezanton praktikat e saj më të mira të qeverisjes, me një fokus të veçantë në promovimin dhe masovizimin e sportit te vajzat – një fushë ku ky qytet ka treguar lidership dhe rezultate konkrete.
Urat e miqësisë që nga paslufta: Takimi me Presidentin e Vicenzës, Andrea Nardin
Përveç prezantimit të suksesshëm të strategjive lokale, agjenda zyrtare është pasuruar me një pritje të nivelit të lartë në Itali. Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Pejës, Xhenet Syka Kelmendi, është mirëpritur në Pallatin Presidencial të Provincës së Vicenzës nga Presidenti Andrea Nardin.
Marrëdhëniet miqësore dhe solidariteti ndërmjet Pejës dhe Vicenzës datojnë që nga periudha e vështirë e pasluftës. Ky partneritet, i cili ka përfshirë edhe bashkëpunime me institucionet lokale si dhe mbështetje komunitare, është forcuar vit pas viti përmes projekteve të përbashkëta në kuadër të familjes evropiane.
“Një mirënjohje e thellë dhe e veçantë shkon për rrjetin ALDA, popullin italian dhe qytetarët e Viçencës për mbështetjen, solidaritetin dhe kontributin e tyre të vazhdueshëm ndaj qytetit tonë,” u shpreh drejtoresha Syka Kelmendi pas takimit.

Pjesëmarrja në ALDA dhe pritja zyrtare në Vicenza rikonfirmojnë angazhimin e palëkundur të Komunës së Pejës për të ndjekur standardet më të larta evropiane të zhvillimit, duke mbetur një shembull udhëheqës i bashkëpunimit ndërkombëtar për të gjithë Kosovën.







