Peja ka qenë nikoqire e një konference ndërkombëtare në kuadër të projektit “FAIR GAME: Gender-equal Access to Movement and Exercise”, ku Komuna e Pejës mori rolin e partnerit udhëheqës.
Konferenca shënon fillimin e një projekti të financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit CERV Programme, në bashkëpunim me komuna dhe organizata nga vende të ndryshme evropiane.
Qëllimi kryesor i projektit është promovimi i barazisë gjinore në sport dhe rritja e pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në aktivitete fizike, përmes shkëmbimit të praktikave më të mira dhe zhvillimit të politikave gjithëpërfshirëse në nivel lokal.
Të pranishmit i përshëndeti Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Pejës, Xhenet Syka, e cila theksoi rëndësinë e krijimit të mundësive të barabarta në sport për të gjitha grupet shoqërore.
Gjatë konferencës u diskutuan sfidat dhe barrierat lokale që pengojnë pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në sport, përfshirë aspektet kulturore, sociale dhe strukturore. Kontribut në diskutim dhanë edhe Ardita Bala, Armenda Filipaj dhe Erina Berisha.
Ndërkohë, partnerët ndërkombëtarë Maurizo Camin dhe Katica Janeva prezantuan përvojat e tyre, prioritetet e BE-së dhe praktikat më të mira për promovimin e barazisë gjinore në sport.
Kjo konferencë pritet të shërbejë si një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të rolit të grave dhe vajzave në sport dhe ndërtimit të politikave më gjithëpërfshirëse në nivel lokal dhe ndërkombëtar.




