Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Pejës, e udhëhequr nga drejtoresha Xhenet Syka Kelmendi, ka hapur thirrjen për të rinjtë e Pejës që dëshirojnë të bëhen pjesë e Asamblesë së të Rinjve të Këshillit Lokal të Rinisë.
Thirrja u drejtohet të rinjve të moshës 15 deri në 29 vjeç, si dhe organizatave dhe subjekteve rinore, me qëllim të përfshirjes së tyre më aktive në proceset lokale dhe në adresimin e çështjeve që prekin të rinjtë e komunitetit.

Sipas njoftimit, aplikimi bëhet përmes formularit të aplikimit dhe letrës motivuese, ndërsa afati për aplikim është deri më 22 gusht 2026.
Nisma realizohet me mbështetjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Drejtoresha Xhenet Syka Kelmendi ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së të rinjve në jetën publike dhe vendimmarrjen lokale, duke i ftuar ata që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të dhënë kontributin e tyre në zhvillimin e Pejës.
“Zëri yt, e ardhmja jonë” është mesazhi i kësaj thirrjeje, përmes së cilës synohet që të rinjtë të kenë një rol më aktiv në përfaqësimin dhe promovimin e interesave të tyre në nivel lokal.




