Kryetari i Komunës së Pejë, Gazmend Muhaxheri, ka pritur sot në një takim zyrtar Ambasadorin e Slloveni në Kosovë, Borut Blaj, ku u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy palëve.
Takimi u përqendrua në forcimin e marrëdhënieve institucionale dhe ndërtimin e partneriteteve konkrete mes Komunës së Pejës dhe institucioneve sllovene, me synim zhvillimin e projekteve të përbashkëta në të ardhmen.
Zhvillimi ekonomik dhe nxitja e investimeve të huaja ishin në qendër të diskutimeve, duke u konsideruar si faktorë kyç për rritjen e qëndrueshme të qytetit. Po ashtu, palët shkëmbyen ide rreth bashkëpunimit në fushën e arsimit, kulturës, mjedisit dhe turizmit, si sektorë me potencial të madh zhvillimor për Pejën.
Gjatë takimit u theksua edhe rëndësia e shkëmbimit të përvojave në qeverisjen lokale, veçanërisht në aspektin e menaxhimit të projekteve, transparencës dhe shërbimeve ndaj qytetarëve.
Nga Komuna e Pejës u ritheksua përkushtimi për ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme ndërkombëtare, duke e parë bashkëpunimin me Slloveninë si një mundësi të rëndësishme për zhvillim afatgjatë dhe përmirësim të cilësisë së jetës së qytetarëve.





