Ballina > Vendi > Peja feston 16 Qershorin – publikohet agjenda e plotë e aktiviteteve për Ditën e Çlirimit

Peja feston 16 Qershorin – publikohet agjenda e plotë e aktiviteteve për Ditën e Çlirimit

11 Jun 2026 Vendi

Komuna e Pejës, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, ka publikuar agjendën zyrtare të aktiviteteve që do të organizohen në kuadër të shënimit të 16 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Pejës.

Nën moton “Një vendlindje, një krenari”, qyteti i Pejës do të mirëpresë një sërë aktivitetesh kulturore, artistike dhe solemne, të cilat do të zhvillohen më 15 dhe 16 qershor, duke bashkuar qytetarët në nderim të një prej datave më të rëndësishme për historinë e qytetit.

Festimet nisin më 15 qershor, me takimin e kryetarit të Komunës, Gazmend Muhaxheri, me grupet e fëmijëve pjesëmarrës në Festivalin Ballkanik, ndërsa mbrëmja do të kulmojë me një koncert festiv për fëmijë në Sheshin “Skënderbeu”.

Ndërkohë, më 16 qershor, aktivitetet do të fillojnë me seancën solemne të Kuvendit Komunal, ngritjen e flamurit dhe homazhet për të rënët, për të vazhduar me vizita në Muzeun e Pejës, ekspozitën premierë të artistit Gëzim Muriqi dhe manifestimin qendror solemn në Sheshin “Skënderbeu”, ku do të ndahen edhe tituj nderi, dekorata dhe mirënjohje.

Komuna e Pejës ka ftuar të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e këtyre aktiviteteve dhe ta festojnë së bashku këtë ditë të veçantë, që simbolizon lirinë, sakrificën dhe krenarinë e qytetit.

“16 Qershori nuk është vetëm një datë në kalendar, por kujtesë e përhershme për rrugën drejt lirisë dhe obligim për ta ruajtur e çuar përpara trashëgiminë e Pejës.”

Lini një përgjigje