Ballina > Vendi > Peja dhe Malta zgjerojnë bashkëpunimin, në fokus kultura, turizmi dhe projektet e përbashkëta

Peja dhe Malta zgjerojnë bashkëpunimin, në fokus kultura, turizmi dhe projektet e përbashkëta

22 Jul 2026 Vendi

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka pritur në takim ambasadoren e Maltës në Republikën e Kosovës, Juliana Scerri-Ferrante, si dhe një delegacion nga Komuna e Ta’ Kercen-Gozo, komunë e binjakëzuar me Pejën.

Në takim morën pjesë edhe Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Pejës, Xhenet Syka, ndërsa delegacioni maltez përbëhej nga kryetari i Komunës së Ta’ Kercen-Gozo, Mario Azzopardi, nënkryetarja Eibigel Michael, kryeadministratorja Mariane Dafina dhe drejtoresha ekzekutive e Bibliotekës Kombëtare të Maltës, Cheryl Falzon.

Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Pejës dhe institucioneve nga Malta, veçanërisht në fushat e kulturës, turizmit, zhvillimit ekonomik dhe promovimit të trashëgimisë kulturore.

Ambasadorja Scerri-Ferrante shprehu kënaqësinë për vizitën në Pejë, duke vlerësuar pasuritë natyrore të qytetit, trashëgiminë kulturore dhe mikpritjen e banorëve.

Palët diskutuan gjithashtu për zhvillimin e Shtegut Kulturor të Pejës, realizimin e aktiviteteve të përbashkëta dhe krijimin e projekteve me interes të ndërsjellë që mund të kontribuojnë në promovimin e mëtejshëm të qyteteve dhe shkëmbimin kulturor.

Në kuadër të vizitës, Komuna e Pejës në bashkëpunim me Bibliotekën Rajonale “Azem Shkreli” organizoi edhe promovimin e librit “Mikelin” të shkrimtares malteze Sandra Hili Vassallo, me ilustrime nga Susanna Rumiz.

Pas takimit zyrtar, delegacioni nga Malta vizitoi Çarshinë e Vjetër të Pejës, ku u njoh nga afër me vlerat historike, kulturore dhe turistike të qytetit.

Vizita u vlerësua si një mundësi për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Pejës dhe partnerëve nga Malta, duke hapur rrugë për bashkëpunime të reja në fusha të ndryshme.

Lini një përgjigje