Qyteti i basketbollit kosovar, Peja, do të jetë qendra e vëmendjes europiane për gjashtë ditë me radhë. Nga data 23 deri më 28 qershor 2026, palestra sportive “Karagaçi” do të mirëpresë Kampionatin Evropian FIBA për Shtetet e Vogla në konkurrencën e femrave (FIBA Women’s European Championship for Small Countries).
Ky event i madh ndërkombëtar sjell në Kosovë ndeshje mjaft interesante, ku vashat tona do të kërkojnë suksesin europian me mbështetjen e zjarrtë të publikut vendas.
Nën moton “Të gjithë në Pejë për Kosovën tonë!”, Federata e Basketbollit e Kosovës fton të gjithë adhuruesit e sportit që të mbushin shkallët e palestrave për t’u bërë lojtari i gjashtë i kombëtares në këtë rrugëtim të rëndësishëm.




