Ballina > Vendi > Pas më shumë se një dekade largimi nga puna, katër profesoresha rikthehen aty ku nisën karrierën akademike

Pas më shumë se një dekade largimi nga puna, katër profesoresha rikthehen aty ku nisën karrierën akademike

10 Feb 2026 Vendi

Pas më shumë se dhjetë vitesh largimi nga institucioni ku kishin hedhur hapat e parë të karrierës së tyre akademike, katër profesoresha janë rikthyer në Fakultetin e Biznesit të Universitetit “Haxhi Zeka”, përmes një konkursi publik të shpallur nga vetë institucioni.

Rikthimi i tyre nuk është rezultat i një procesi të rregullt konkurrues, ku përvoja profesionale, përgatitja akademike dhe integriteti u vlerësuan pas një periudhe të gjatë mungese. Një proces që shënon jo vetëm një kapitull të ri për to, por edhe një moment reflektimi institucional.

Prof. ass. dr. Mimoza Luta, Prof. ass. dr. Arjana Xhemajli, Prof. ass. dr. Mirjeta Domniku dhe Prof. ass. dr. Fidane Spahija Gjikolli rikthehen sot në auditorë me një bagazh të pasur profesional dhe njerëzor, të ndërtuar ndër vite përvoje, sfidash dhe qëndrueshmërie personale.

Edhe pse largimi i tyre ndër vite ka qenë temë diskutimi në opinion, rikthimi përmes konkursit publik shihet si dëshmi se vlera akademike dhe përkushtimi profesional, pavarësisht kohës, arrijnë të gjejnë sërish vendin e tyre. Ky rikthim përfaqëson një hap drejt rivendosjes së besimit në proceset meritore dhe transparencën institucionale.

Nga Fakulteti i Biznesit është theksuar se pranimi i tyre përbën një vlerë të shtuar për mësimdhënien, kërkimin shkencor dhe zhvillimin institucional, duke sjellë energji të re profesionale dhe stabilitet akademik në një periudhë modernizimi dhe orientimi drejt standardeve bashkëkohore të arsimit të lartë.

Ky nuk është thjesht një rikthim në vendin e punës, por një kthim në rrënjë – aty ku nisi rrugëtimi akademik, dhe ku sot, pas më shumë se një dekade, përvoja, durimi dhe profesionalizmi marrin një kuptim të ri.

Lini një përgjigje