Një pronar lokali në Han të Elezit është intervistuar nga Policia e Kosovës në cilësinë e të dyshuarit, pas dyshimeve se disa persona janë helmuar nga ushqimi i konsumuar në lokalin e tij.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti po hetohet për veprën penale “prodhim dhe vënie në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimor”.
“Në cilësinë e të dyshuarit, në stacion policor është intervistuar një mashkull kosovar për shkak të dyshimit se në lokalin e tij pas konsumimit të ushqimit janë helmuar disa persona. Rasti është duke u hetuar për të cilin është njoftuar prokurori i cili ka autorizuar të iniciohet lënda e rastit”, thuhet në raportin e Policisë.
Ndërkohë, zyrtarët e komunës kanë bërë të ditur se numri i personave që kanë kërkuar ndihmë mjekësore është rritur.
Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, njoftoi se nga 13 deri më 15 korrik në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare janë trajtuar 110 persona me simptoma të gastroenteritit, ndërsa pesë prej tyre janë referuar për trajtim në Spitalin Rajonal të Ferizajt dhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Edhe drejtoresha e Shëndetësisë në këtë komunë, Kimete Kuka, ka konfirmuar se ekipet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Inspektoratit Shëndetësor kanë marrë mostra për analiza laboratorike, rezultatet e të cilave ende priten.
E Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) thekson se ka intensifikuar kontrollet pas rasteve të dyshuara të helmimit në Han të Elezit dhe Prishtinë. Sipas AUV-së, inspektorët kanë kontrolluar kushtet higjieno-sanitare, dokumentacionin dhe gjurmueshmërinë e produkteve, ndërsa janë marrë mostra për analiza mikrobiologjike.
Në Han të Elezit është marrë mostër e majonezës nga objekti i shërbimit, ndërsa analizat laboratorike janë ende në proces. AUV ka bërë të ditur se raporti përfundimtar do të publikohet pas përfundimit të analizave dhe, nëse konstatohen shkelje ose rrezik për shëndetin publik, do të ndërmerren masat përkatëse administrative dhe ligjore.




