Ballina > Vendi > OVL e UÇK-së nis peticion kombëtar drejtuar Dhomave të Specializuara në Hagë

OVL e UÇK-së nis peticion kombëtar drejtuar Dhomave të Specializuara në Hagë

25 Feb 2026 Vendi

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka bërë të ditur se ka nisur një peticion kombëtar, përmes të cilit u bën thirrje qytetarëve të Kosovës dhe diasporës që të shprehin mbështetjen e tyre ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas njoftimit të publikuar në rrjetet sociale nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, peticioni u drejtohet Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke synuar që përmes vullnetit qytetar të përcillet një mesazh institucional dhe shoqëror lidhur me proceset gjyqësore që po zhvillohen atje.

“Bashkohuni edhe ju në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në thirrjen publike të OVL-UÇK-së, ku theksohet rëndësia e pjesëmarrjes qytetare në këtë nismë.

Peticionin qytetarët mund ta nënshkruajnë online përmes një platforme digjitale, e cila është bërë publike nga organizata, duke u mundësuar kështu pjesëmarrje të gjerë edhe për bashkatdhetarët që jetojnë jashtë vendit.

Nga OVL-UÇK kanë bërë të ditur se kjo nismë synon të reflektojë qëndrimin e qytetarëve lidhur me luftën çlirimtare dhe rolin e UÇK-së, duke e konsideruar peticionin si një formë demokratike të shprehjes së vullnetit popullor.

https://fullhosted.net/peticioni

Lini një përgjigje