Orkestra e Fëmijëve dhe e të Rinjve “Amadeus” ka arritur një sukses të madh në festivalin ndërkombëtar “Musica Orbis”, që u mbajt në Pragë të Çekisë, duke u kthyer në Kosovë me Medaljen e Artë dhe katër çmime.
Përveç çmimit kryesor, Elton Syla u shpall violinisti solist më i mirë, ndërsa Princ Fanaj u vlerësua me çmimin “Violinisti më entuziast”.
Një tjetër vlerësim i rëndësishëm ishte edhe Çmimi i Publikut, i cili iu nda Orkestrës “Amadeus”, duke dëshmuar vlerësimin e lartë të audiencës për performancën e saj.
Ky sukses përbën një arritje të rëndësishme për të rinjtë e orkestrës dhe një prezantim dinjitoz të Republikës së Kosovës në skenën ndërkombëtare të muzikës.





