Nxënësit e Qendrës Burimore për Mësim dhe Këshillim “Xheladin Deda” po qëndrojnë në Brezovicë, ku po ndjekin me përkushtim mësimet e skijimit brenda programit edukativo-sportiv “Drejt Malit”.
Përmes këtij programi, nxënësit zhvillojnë aftësitë sportive, forcojnë vetëbesimin dhe përjetojnë eksperienca unike në natyrën malore. Me mbështetjen e instruktorëve dhe stafit profesional, çdo ditë në pistë shënon progres, guxim dhe buzëqeshje për këta të rinj.
Programi promovon gjithashtu Parkun Kombëtar Sharri dhe zonën turistike të Brezovicës, në bashkëpunim me AMMK – Brezovicë.
“Drejt Malit” zbatohet nga Federata e Sportit Shkollor e Republikës së Kosovës, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Federatës Skitare të Kosovës, duke ofruar një eksperiencë të pasur edukative, sportive dhe natyrore për nxënësit.




