Ballina > Vendi > Numërimi mbrapsht në Hagë: Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së hyn në fazën vendimtare

Numërimi mbrapsht në Hagë: Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së hyn në fazën vendimtare

02 Feb 2026 Vendi

Kanë mbetur edhe pak ditë deri në nisjen e një prej momenteve më vendimtare të procesit gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku po gjykohen katër ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Rexhep Selimi pritet që më 9 shkurt të përballen me seancat e fjalëve përfundimtare, fazë kjo që konsiderohet si hapi i fundit para marrjes së vendimit të shkallës së parë.

Sipas kalendarit zyrtar të gjykatës, nga data 9 deri më 18 shkurt, palët në proces Prokuroria e Specializuar dhe ekipet mbrojtëse do të paraqesin argumentet përmbyllëse, ndërsa në fund edhe trupi gjykues do të mbyllë këtë kapitull procedural. Një element i rëndësishëm i këtyre seancave do të jetë edhe fjala personale e të akuzuarve, të cilëve u është garantuar e drejta që secili të flasë për 20 minuta para gjykatës.

Në prag të këtyre seancave, avokati i akredituar nga Dhomat e Specializuara, Artan Qerkini, ka deklaruar se mbrojtja ka përmbyllur një proces të detajuar dhe substancial, të mbështetur në dëshmi dhe argumente juridike të qëndrueshme. Ai ka theksuar se mbrojtja do të kundërshtojë fuqishëm dy shtyllat kryesore të aktakuzës: përgjegjësinë komanduese dhe të ashtuquajturën ndërmarrje të përbashkët kriminale.

Sipas Qerkinit, gjatë fazës së dëshmive është vërtetuar se asnjëra nga këto baza nuk mund t’u atribuohet katër ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar se dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja kanë rrëzuar narrativën e Prokurorisë.

Pas përfundimit të fjalëve përfundimtare, trupi gjykues do të ketë një afat prej 90 ditësh për të shpallur vendimin e shkallës së parë në rastin e njohur si “Thaçi dhe të tjerët”, vendim që pritet me interes të jashtëzakonshëm në Kosovë dhe më gjerë.

Në anën tjetër, pritjet për një epilog pozitiv janë shprehur publikisht edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nënkryetari i OVL-së, Fatmir Sopi, ka deklaruar se ish-krerët e UÇK-së nuk mbajnë përgjegjësi për akuzat që lidhen me luftën çlirimtare.

Sipas tij, lufta e UÇK-së ishte një përpjekje legjitime për çlirimin e vendit nga pushtimi, duke nënvizuar se ajo përfaqëson sakrificë, nder dhe dinjitet kombëtar, e jo veprim kriminal. Ai theksoi se besimi për lirimin e bashkëluftëtarëve të tyre mbetet i palëkundur.

Gjykimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së konsiderohet si një nga proceset më të ndjekura dhe më të debatueshme në historinë e pasluftës në Kosovë, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të ketë ndikim të madh politik, juridik dhe shoqëror.

Lini një përgjigje