Ballina > Podcast > Nora Gjakova në Podcastin “Protagonist”: Lëndimi që mbylli karrierën, sakrificat e pathëna dhe rruga drejt një roli të ri në xhudo

Nora Gjakova në Podcastin “Protagonist”: Lëndimi që mbylli karrierën, sakrificat e pathëna dhe rruga drejt një roli të ri në xhudo

03 Feb 2026 Podcast

Një nga figurat më emblematike të sportit kosovar, kampionia olimpike Nora Gjakova, ka qenë mysafire në Podcastin “Protagonist”, një prodhim i Inklik Media, ku ka rrëfyer hapur dhe me emocione për fundin e karrierës së saj sportive, sakrificat shumëvjeçare dhe kapitullin e ri të jetës.

Gjakova ka bërë publik përfundimin e karrierës aktive më 31 dhjetor të vitit që lamë pas, duke theksuar se vendimi erdhi si pasojë e një lëndimi serioz, i cili e pamundësoi vazhdimin në nivelin më të lartë garues. Ajo pranoi se ky vendim nuk ishte aspak i lehtë dhe se edhe për prindërit e saj ka qenë një befasi, pasi gjithçka ndodhi më shpejt nga sa ishte menduar.

Në bisedën e zhvilluar në Podcast Protagonist, Nora u kthye pas në fillimet e saj në xhudo, duke folur për kushtet jo të lehta të stërvitjes në Pejë, për mungesën e infrastrukturës dhe për një realitet ku puna dhe disiplina ishin mbi gjithçka. Ajo theksoi se rruga drejt majave të sportit botëror nuk ka qenë asnjëherë e lehtë dhe se çdo sukses është ndërtuar hap pas hapi.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar trajnerit Driton Kuka, të cilin Gjakova e përshkroi si jashtëzakonisht kërkues dhe strikt, por vendimtar në ndërtimin e saj si kampione. Sipas saj, standardet e larta, disiplina dhe përkushtimi ekstrem i ekipit kanë qenë faktorët kyç që prodhuan rezultate historike për Kosovën.

Në këtë intervistë, Nora ka rikujtuar edhe momentet kulmore të karrierës, përfshirë medaljen e artë olimpike, sukseset evropiane dhe botërore, duke theksuar se pas çdo medaljeje qëndrojnë sakrifica të mëdha personale. Ajo pranoi se për vite me radhë ka jetuar ndryshe nga bashkëmoshatarët e saj, pa jetë nate, pa rrjete sociale dhe nën një disiplinë strikte, që shpesh ka qenë emocionalisht e rëndë.

Një nga rrëfimet më prekëse ishte ai për lëndimin që, sipas saj, i shkaktoi jo vetëm dhimbje fizike, por edhe një thyerje shpirtërore, duke e detyruar të përballet me fundin e një epoke që kishte përcaktuar gjithë jetën e saj.

Përtej rrëfimit personal, Nora Gjakova ka dhënë edhe një mesazh të fuqishëm për të rinjtë, duke i inkurajuar ata të mos dorëzohen përballë vështirësive dhe të besojnë në punën e ndershme dhe disiplinën. Ajo theksoi se suksesi nuk vjen brenda natës dhe se çdo arritje kërkon durim, sakrificë dhe besim në vetvete, pavarësisht rrethanave apo mungesës së kushteve ideale.

Sa i përket jetës personale, Gjakova zbuloi edhe karakterin e saj të qetë si dhe dëshirën për të krijuar familje, duke pranuar se për shumë vite këto plane kanë qenë në plan të dytë për shkak të përkushtimit total ndaj sportit.

Edhe pse ka mbyllur karrierën aktive, Nora Gjakova nuk është larguar nga xhudo. Ajo ka bërë të ditur se aktualisht është e angazhuar si trajnerë asistente, përkrah Driton Kukës dhe Majlinda Kelmendit, duke kontribuar në përgatitjen e brezave të rinj dhe në vazhdimësinë e suksesit të xhudos kosovare.

Intervista e saj në Podcastin “Protagonist” vjen si një dëshmi autentike e sakrificës, disiplinës dhe tranzicionit emocional të një kampioneje që i dha shumë Kosovës dhe që tashmë po ndërton një rol të ri, po aq domethënës, jashtë garave por brenda sportit elitar.

Lini një përgjigje