Reagimet zyrtare nga Rusia për rezultatet e zgjedhjeve të djeshme në Hungari ende nuk janë publikuar, përfshirë edhe një qëndrim nga presidenti Vladimir Putin. Megjithatë, sinjalet e para kanë ardhur nga figura të afërta me pushtetin në Moskë.
Kiril Dmitrijev, i njohur si një nga njerëzit e afërt me Kremlinin dhe shpesh i përfshirë në kontakte ndërkombëtare, ka reaguar në rrjetin social X me një deklaratë të fortë lidhur me pasojat e mundshme të zgjedhjeve.
“Kjo vetëm do ta përshpejtojë shpërbërjen e Bashkimi Evropian”, ka shkruar ai, duke shtuar: “Kontrolloni nëse kam të drejtë pas katër muajsh”.
Dmitrijev aktualisht mban postin e drejtorit ekzekutiv të Russian Direct Investment Fund, një fond shtetëror investimesh me vlerë miliarda dollarë, i krijuar për të mbështetur projekte strategjike në ekonominë ruse.
Emri i tij është përmendur edhe më herët në kontekstin e kontakteve mes SHBA-së dhe Rusisë për çështjen e Ukrainës, ku ai ka qenë pjesë e komunikimeve me përfaqësues amerikanë.
Për momentin mbetet e paqartë nëse kjo deklaratë reflekton qëndrimin zyrtar të Kremlinit, ndërsa reagimi i plotë i Moskës ndaj zhvillimeve në Hungari pritet në vijim.




