Ballina > Vendi > Një ikonë e dëshpërimit që gërmon të kaluarën

Një ikonë e dëshpërimit që gërmon të kaluarën

24 May 2026 Vendi

Ferdonije Qerkezi kundërshtoi narrativën e “vrapimit drejt së ardhmes: Përderisa shoqëria kosovare vrapon drejt së ardhmes, Ferdonija gërmon në të kaluarën…” Vuajtja e saj “na e ka shpërfaqur një të vërtetë mjaft të dhimbshme dhe shumë të idhët” . Metoda e saj e angazhimit publik u arrit së pari me hapjen e shtëpisë për publikun; duke vepruar kështu, Ferdonija u sigurua që “audienca të marrë pjesë në vuajtjen e saj”

Nga: Aidan Hehir

Përktheu: Eronita Kqiku /koha.net/

Ferdonije Qerkezi është kthyer në një ikonë që përfaqëson dhunën ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës dhe torturën që përjetuan familjet e të humburve që atëherë (Apolloni 2020, 103; shih gjithashtu Kabashi 2005). Siç është shprehur Dardan Hoti, “ekzistenca e saj është kthyer në dëshmi të asaj se çka ka ndodhur në Kosovë” (2017, 19) dhe Ag Apolloni thotë, “ajo u bë simbol i tragjedisë për Kosovën” (Bami 2022). Ajo njihet zyrtarisht si e tillë nga udhëheqësit e Kosovës. Më 2015, iu dhurua Medalja Presidenciale dhe, çdo vit, që nga viti 2021, kryeministri i Kosovës e vizitoi shtëpinë e saj në përvjetorin e rrëmbimit të familjes. Më 2023, ai u shpreh: “Sot nuk ka shqiptar që nuk e di se kush është dhe s’e kanë për zemër (Zyra e Kryeministrit 2023).

Dëshpërimi i Ferdonijes i ka siguruar asaj njohje edhe ndërkombëtare; në vitin 2016, fotografi shqiptaro-amerikan nga Kosova, Artan Korenica, publikoi një fotografi të saj ulur në tryezë të shtruar për gjashtë persona, me pesë karrige të zbrazëta, e titulluar “Më mungon…”, e cila u bë virale (Schwandner-Sievers dhe Klinkner 2021, 50). Ky imazh rriti ndjeshëm famën e Ferdonijes; shtëpia e saj u vizitua nga një numër i madh i personaliteteve të huaja dhe turistëve, dhe u njoh zyrtarisht si muze nga Qeveria e Kosovës, në po të njëjtin vit. Tryeza e saj me gjashtë vende të shtruara u ekspozua së bashku me një film të shkurtër, si instalacioni “Mirë se vini në Tryezë” në Prishtinë, Kosovë, në vitin 2023, dhe prej aty ekspozita udhëtoi nëpër Evropë.

Ferdonija është bërë një ikonë kombëtare; ndikimi shoqëror dhe ndërkombëtar i dëshpërimit të saj citohet si dëshmi e “transformimit të pikëllimit individual në idioma të fuqishme publike” (Berisha 2017, 44). Megjithatë, fiksimi i Ferdonijes me vuajtjen e së kaluarës dhe mjerimet e së tashmes, si dhe refuzimi i saj për të ecur përpara, përputhet me karakteristikat hendikepe të dëshpërimit të diskutuara më herët. Ndryshe nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) apo udhëheqësit e lëvizjeve politike, Ferdonija dhe familja e saj nuk u angazhuan në një luftë të guximshme kundër autoritetit serb; fati i tyre është plotësisht tragjik. Për më tepër, ekziston një preferencë për t’i lartësuar si të denjë ata që kanë përjetuar tragjedi, më pas janë përpjekur të ecin përpara dhe e kanë përdorur përvojën personale për të përhapur një mesazh pozitiv dhe kuptimplotë (Hunt 2010, 117). Ferdonija nuk është një figurë e tillë; mospajtimi i saj me idenë e pajtimit e pengon atë të festohet si një ekzemplar i shpengimit apo faljes, tema këto që kanë shtyrë figura të tjera tragjike drejt famës (Di Lellio dhe McCurn 2012; Schwandner-Sievers dhe Klinkner 2021).

Historia e Ferdonijes karakterizohet nga terrori, trauma dhe hidhërimi; këto qartazi nuk janë emocione që frymëzojnë siguri ontologjike. Duke pasur parasysh këtë, si kontribuon ajo pozitivisht në narrativën e sigurisë ontologjike të pasluftës në shoqërinë kosovare? Në pjesën vijuese, arsyetoj se fati i Ferdonijes dhe lartësimi i saj në statusin e ikonës kontribuojnë në rivendosjen e sigurisë ontologjike të shoqërisë kosovare, së pari përmes fuqisë zbuluese të dëshpërimit, dhe së dyti për faktin se dëshpërimi i saj vepron si një katalizator që frymëzon reagime emocionale tek të tjerët, duke ushtruar kështu agjenci afektive në formësimin e narrativave kolektive të sigurisë ontologjike.

Narrativat e Kosovës së pasluftës

Kosova përjetoi një shkëputje radikale kur lufta shpërtheu në fund të viteve 1990; në përputhje me kornizën e SSO-së të diskutuar më herët, pas luftës u shfaqën narrativa të reja që kërkonin krijimin e rutinave të reja, që do ta rivendosnin parashikueshmërinë dhe do ta reduktonin ankthin (Steele dhe Subotić 2024, 144; shih gjithashtu Subotić 2016; Kinnvall dhe Mitzen 2020; Krickel-Choi 2024, 5, 612).

Fillimisht dominuan dy narrativa në Kosovën e pasluftës; e para lartësonte heronjtë shqiptarë të Kosovës që i rezistuan shtypjes serbe. Për ta theksuar dhe përhapur këtë narrativë, shqiptarët e Kosovës i nderuan si ikona ata që rezistuan me guxim, qoftë përmes përdorimit të forcës, siç ilustrohet nga udhëheqësi i UÇK-së, Adem Jashari (Di Lellio dhe Schwandner-Sievers 2006), qoftë përmes mobilizimit politik, siç ilustrohet nga Ibrahim Rugova, i cili udhëhoqi rezistencën civile të shqiptarëve në vitet 1990 (Azemi 2025). Narrativa e dytë vinte në pah mbështetjen e NATO-s për shqiptarët e Kosovës gjatë luftës dhe përkushtimin e vazhdueshëm të aleatëve perëndimorë për të mbrojtur një Kosovë të pavarur dhe për ta udhëhequr atë drejt paqes, prosperitetit dhe njohjes ndërkombëtare. Ekzemplarë ikonikë të kësaj narrative përfshinin presidentin e SHBA-së, Bill Clinton, kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair, dhe sekretaren e Shtetit të SHBA-së, Madeline Albright. Kjo narrativë gëzonte mbështetjen e Perëndimit në vitin 1999, por gjithashtu, inkurajonte qytetarët e Kosovës të besonin se ata gëzonin një aleancë të vazhdueshme me Perëndimin, e cila do t’u garantonte një të ardhme të ndritur (Bucaj 2019; Baliqi 2021; Musliu 2021; Hehir 2024)./koha.net/

Lini një përgjigje