Në Qendrën Kreative “Dukagjini” u zhvillua një aktivitet kulturor i veçantë kushtuar ditëlindjes së poetit të madh Azem Shkreli, duke rikthyer në vëmendje jetën, mendimin dhe trashëgiminë e tij letrare.
Fjalë rasti mbajtën Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Pejës, znj. Xhenet Syka, Drejtoresha e Bibliotekës “Azem Shkreli”, znj. Shengyl Kelmendi, si dhe Drejtoresha e SHFMU “28 Nëntori” në Raushiq, znj. Florentina Fetahaj.
Pjesa kryesore e aktivitetit u realizua përmes dramës artistike “Dialog me Azem Shkrelin”, interpretuar nga nxënësit e SHFMU “28 Nëntori”. Përmes fjalës artistike dhe skenës, të rinjtë krijuan një bashkëbisedim simbolik me veprën dhe filozofinë poetike të Shkrelit, duke e bërë poezinë e tij të gjallë për audiencën.

Një moment i veçantë ishte rubrika “Një fjali për Azem Shkrelin”, ku të pranishmit ndanë reflektime, mendime dhe vlerësime personale për poetin, duke dëshmuar ndikimin e vazhdueshëm të veprës së tij në kulturën dhe identitetin tonë letrar.
Ky aktivitet u organizua nga Biblioteka “Azem Shkreli” në bashkëpunim me nxënësit e SHFMU “28 Nëntori”, me qëllim të ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë letrare të poetit dhe afrimit të brezave të rinj me artin dhe letërsinë shqipe.




